Procesi i anëtarësimi në NATO i Gjeorgjisë dhe Ukrahinës do të jetë i gjatë
Al Pessin
Uashington
22-03-2008
 

Pentagoni tha se mbështetja nga Shtetet e Bashkuara rreth përpjekjeve të Gjeorgjisë dhe Ukrahinës për anëtarësimin në NATO nuk do të thotë që këto vende të anëtarësohen shumë shpejt. Një zëdhënës tha se Sekretari i Mbrotjes, Robert Geits, mendon se është koha të fillohet të veprohet, megjithëse ky mund të jetë një proces i gjatë.

Sipas zëdhënësit, Sekretari Geits, gjatë një takimi të enjten në Pentagon me Presidentin e Gjeorgjisë, Mikail Saakashvilli, diskutoi përpjekjet e Gjeorgjisë për fillimin e procesit të anëtarësimit në NATO. Ky diskutim u zhvillua një ditë pasi Presidentit Bush u takua me presidentin gjeorgjian dhe tha se ai, në samitin e Bukureshtit muajin e ardhshëm, do t’i bëjë thirrje udhëheqësve të NATO-s të miratojnë planin e përgatitjeve për anëtarësim të Gjeorgjisë.

Rusia kundërshton planin që ish-republikat sovjetike t’i bashkohen aleancës perëndimore. Por, Sekretari i Shtypit i Pentagonit, Xhef Morell, tha se, qoftë dhe me planin e përgatitjeve për anëtarësim, shanset janë se do të duhet kohë që kjo të realizohet.

“Mendoj se është e rëndësishme të mos ngatërrohet plani i përgatitjeve për anëtarësim me anëtarësimin. Ju e dini se tre vendet që presin të anëtarësohen në Bukuresht, Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia, kanë pothuajse gjithë dekadën e fundit që përgatiten sipas këtij plani. Kështu, ky mund të jetë një proces i gjatë. Plani është hartuar të inkurajojë reformat demokratike dhe ushtarake dhe gjatë kësaj kohe, në një farë mënyre, vendet të kuptojnë progresin që ato kanë bërë”, tha zëdhënësi i Pentagonit.

Zoti Morell theksoi se vendet me një plan përgatitjesh për anëtarësim nuk janë nën mbrojtjen e aleancës, vetëm nëse, dhe deri sa ata faktikisht janë anëtarë, gjë që duhet miratuar nga të gjitha vendet e tjera anëtare.

Udhëheqësit e NATO-s, pritet që në takimin e tyre në prill, të bëjnë ftesa zyrtare për Kroacinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë. Shqipëria dhe Maqedonia kanë punuar për nëntë vjet sipas planeve të anëtarësimit, ndërsa Kroacia për gjashtë vjet. //af

 


Friday, 21 March 2008
 Kriza e ndodhur qeveritare në Maqedoni, pas kërcënimeve të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) për lëshim të koalicionit qeverisës, janë shkaku pse Maqedonia vonohet në pranimin e pavarësisë së Kosovës. Këtë informacion fillimisht e kaliferuar Radio Televizioni i Kosovës (RTK), kurse të enjten e ka konfirmuar edhe kryeministri kosovar Hashim Thaçi si dhe nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Rafiz Haliti. Pas takimit me kreun e BDI-së Ali Ahmetin, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka përsëritur edhe njëherë se çështja e njohjes së pavarësisë nga Maqedonia është punë e kryer. Ai madje tha se vendimi është marrë më herët për këtë çështje por ka “mbetur i ngrirë” për shkak të zhvillimeve të fundit në Qeverinë e Maqedonisë. Ndërkohë BDI ashpër e ka sulmuar PDSH-në se me veprimet e papërgjegjshme për dalje nga Qeveria e ka vonuar procesin e njohjes së Kosovës nga ana e Maqedonisë. “Sjellja e papërgjegjshme e PDSH-së e ka vonuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Maqedonisë. Të gjitha informatat tona flasin se njohja e Kosovës nga Maqedonia është dashur të bëhet të mërkurën në pako me Kroacinë, Hungarinë dhe Bullgarinë”. Kështu ka akuzuar partinë e Menduh Thaçit, nënkryetari i BDI-së, Rafiz Haliti. Sipas tij, kjo nuk ka ndodhur për shkak se realisht Maqedonia është me qeveri teknike e cila nuk ka legjitimitet që të bëjë njohjen e Kosovës.

Ai për këtë fajin ia hedh PDSH-së e cila me veprimet e saj prolongoi që Maqedonia këtë javë të njohë shtetin më të ri të botës. I pyetur se si e komenton mosshkuarjen e krerëve të PDSH-së dhe PPD-së në Prishtinë, Haliti potencoi se Thaçi dhe Veseli e kanë kuptuar se me sjelljet e tyre e kanë dëmtuar njohjen e Kosovës nga ana e Maqedonisë. Sipas tij, brengos fakti se sa më tepër që vonohet njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Maqedonisë ky vend identifikohet me politikën e Moskës dhe Beogradit.

Edhe Radio Televizioni i Kosovës (RTK) duke u thirrur në burime diplomatike në Prishtinë ka bërë të ditur se PDSH-ja me kërcënimet për braktisjen e Qeverisë e ka vonuar njohjen e Kosovës nga ana e Maqedonisë. “Kriza e shkaktuar nga paralajmërimet për dalje të PDSH-së nga koalicioni qeveritar kanë prolonguar njohjen e Kosovës nga ana e Maqedonisë”, njoftoi të mërkurën RTK-ja. Duke u thirrur në burime diplomatike në Prishtinë, RTK ka informuar se ka qenë e paraparë që Maqedonia ta njohë pavarësinë e Kosovës të mërkurën ose të enjten, së bashku me Bullgarinë, Kroacinë dhe Hungarinë, mirëpo është prolonguar për shkak atë krizës qeveritare të shkaktuar nga paralajmërimet e PDSH-së për dalje nga Qeveria. Duke u bazuar në të njëjtat burime, RTK ka informuar se për shkak të kësaj krize qeveritare, njohja e Kosovës nga ana e Maqedonisë do të prolongohet për disa ditë, e ndodhsha edhe për disa javë.

Në Qeverinë e Maqedonisë nuk duan të komentojnë se kur do të ndodhë njohja e Kosovës e as deklaratën e Halitit.
Ndryshe, të mërkurën pas takimit me kryeministrin Gruevski kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi deklaroi e turbulencat në Qeveri e kanë përshpejtuar njohjen e Kosovës nga ana e Maqedonisë. Edhe gazeta e njohur londineze, duke u thirr në burime qeveritare në Shkup ka informuar se Maqedonia së shpejti do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

881 faqet e vizituara, 6 sot
388 vizita, 4 sot