Tragjedia, Berisha: Më hetoni

Debate të ashpra në Kuvend për shpërthimin në Gërdec. Kryeministri: Nuk kisha dijeni për poligonin. Opozita këmbëngul: Dorëhiqu

“Kryeministri Berisha të japë dorëheqjen, të dorëzojë imunitetin dhe të vihet në dispozicion të organit të hetimit”. Kjo kërkesë ka ardhur dje nga kryetarja e grupit parlamentar të PS-së Valentina Leskaj, gjatë debatit në Kuvend për tragjedinë e Gërdecit. Për disa orë rresht, salla e Kuvendit është përfshirë nga debate të ashpra mes pozitës dhe opozitës, ku nuk kanë munguar akuzat e ndërsjella. Deputetët e opozitës kanë akuzuar qeverinë dhe Kryeministrin Berisha si shkaktar të kësaj tragjedie, të cilët kanë lejuar ndërtimin e kësaj fabrike për demontimin armëve në një zonë kaq nevralgjike. Duke komentuar fjalën e Kryeministrit Berisha, i cili u mundua që të hiqte çdo përgjegjësi nga vetja, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, i ka kujtuar kreut të qeverisë se historitë që ai tregoi në Kuvend kanë fyer çdo shqiptar. “Ju mohoni përgjegjësinë tuaj për ngjarjen e Gërdecit, por unë ju bëj thirrje që të lexoni nenin 169 të Kushtetutës lidhur me përgjegjësinë tuaj. Zoti Kryeministër, ju nuk mund të rrini më ulur në atë karrige, ju keni po aq përgjegjësi sa Mediu që lejoi hapjen e një fabrike municionesh në një zonë të banuar. Ky është një rast i paprecedentë”, është shprehur Leskaj. Gjithashtu edhe deputeti i PS-së, Musa Ulqini, ka mbajtur të njëjtin qëndrim me kryetaren e grupit, duke theksuar se qeveria dhe Kryeministri janë përgjegjës për këtë tragjedi. Ulqini i ka kujtuar Kryeministrit se është përgjegjësi e tij që në këtë fabrikë punonin gra dhe fëmijë. “Qeveria është kthyer në agjenci funeralesh, e cila jep para për të varrosur kufomat”, është shprehur Ulqini. Sipas tij, kjo tragjedi ka treguar edhe një herë se Kryeministri nuk e njeh aktin civil të dorëheqjes. Kjo akuzë ka marrë menjëherë përgjigjen e Berishës, i cili ka theksuar se nëse gjenden përgjegjësi ligjore për Kryeministrin, ai është gati të përgjigjet. “Jam i gatshëm për t‘u hetuar. Bëni një mocion ndaj meje nëse kërkoni largimin tim. Ngrini komision parlamentar, faktoni akuzat ndaj meje, por kam frikë se do të gjeni atë që nuk doni”, është shprehur Berisha. Kryeministri i ka kujtuar opozitës se ajo nuk është në Kuvend vetëm për të kritikuar, por edhe për të dhënë alternativa sesi mund të dilet nga kjo situatë. Debati ka vijuar më tej, ku deputeti i PS-së, Pandeli Majko, i ka kujtuar Kryeministrit se demontimi i armëve nuk është biznes. Majko ka theksuar se nuk ka legjislacion për importin në Ministrinë e Mbrojtjes. Ndërsa deputeti Arjan Starova ka deklaruar se tragjedia mund të shmangej, ndaj për këtë duhet të ndëshkohen përgjegjësit e saj. Mjaft i ashpër në fjalën e tij ka qenë kryetari i LSI-së, Meta, i cili i ka kujtuar Kryeministrit Berisha se është përgjegjësi për tragjedinë e Gërdecit. Meta ka theksuar se Berisha e ka zhytur vendin në një varfri të tejskajshme, e cila i detyron gratë dhe fëmijët që të punojnë në një fabrikë armësh për të fituar dy lekë më shumë. Pas katër ditësh, tha Meta, Kryeministri nuk bën dot një bilanc për tragjedinë, nuk paraqet një shifër të saktë për viktimat. Meta ka kërkuar dorëheqjen e Berishës për t‘i hapur rrugë hetimit të kësaj tragjedie. Gjithashtu, duke i dhënë përgjigje deklaratës së Berishës se opozita duhet të japë alternativa për përballimin e kësaj situate, Meta ka deklaruar se LSI-ja ka propozuar alternativat e saj për të dalë nga situata. Ajo është ndezur shumë pas deklaratës së ministrit Olldashi, i cili ka risjellë në kujtesën e të gjithëve disa tragjedi të ndodhura gjatë qeverisjes së PS-së, ku Kryeministri i asaj kohe nuk ishte pranë viktimave, por duke festuar dhe duke bërë ski. Olldashi citoi disa deklarata të deputetëve të PS-së, të cilët kanë qenë ministra në atë kohë. Por reagimi i deputetëve të opozitës ka qenë i menjëhershëm. Ata i kanë kujtuar Kryeministrit se tani nuk bëhet fjalë për tragjedi, por për vrasje dhe trafik të pastër armësh. Deputeti Blushi është shprehur se shqiptarët i vrau qeveria e tyre në ditën me diell, në mes të kryeqytetit, pasi qeveria i ka dhënë monopolin e armëve një kompanie private.



881 faqet e vizituara, 6 sot
388 vizita, 4 sot